Artikulli për kontratat e Ministrisë së Mbrojtjes:

Portali Hashtagalbania ka publikuar një artikull në të cilin pretendon se ministrja Mimi Kodheli ka mbajtur fshehur disa kontrata të lidhura nga Ministria e Mbrojtjes përgjatë periudhës 2009-2013. Sipas artikullit, Ministria e Mbrojtjes nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion të qendrës “Res Publica”, e cila ka kërkuar dokumentet e kontratave të lidhura nga kjo ministri.

Për kontratat e Ministrisë së Mbrojtjes:

Lidhur me pretendimet e ngritura në artikullin e publikuar nga portali Hashtagalbania informojmë se qendra “Res Publica” i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes më një kërkesë për vënien në dispozicion të disa kontratave të ndryshme, të cilat ministria i ka lidhur në periudhën 2009-2013.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, përkatësisht nenit 279 për sekretin hetimor, Ministria e Mbrojtjes e kishte të ndaluar që materialet e kërkuara t'i vinte në dispozicion të qendrës “Res Publica”. Këtë pengesë ligjore, Ministria e Mbrojtjes ia ka bërë të ditur subjektit kërkues, i cili pavarësisht përgjigjes i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila i dha të drejtë Ministrisë së Mbrojtjes, për mos dhënie të dokumenteve pasi ishin objekt i procesit hetimor.

Më pas, qendra “Res Publica” e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit. Duke qenë se gjatë gjykimit në apel Prokuroria e kishte pushuar hetimin e saj, publikimi i materialeve nuk përbënte më shkelje të nenit 279 të Kodit të Procedurës Penale. Kësisoj, Gjykata e Apelit vendosi në mbështetje të kërkesës së qendrës "Res Publica".

 

Postuar më:2016-03-30