Artikulli gazetës Standard për transparencën e koncesioneve:

Përmes publikimit të një artikulli, gazeta Standard pretendon se mungon transparenca nga ana e qeverisë për koncesionet e dhëna.

Për transparencën e koncesioneve:

Në tetor të vitit 2013, qeveria shqiptare nuk kishte asnjë informacion mbi të dhënat për kontratat e koncesioneve, si dhe me procedurat e ndjekura për dhënien e tyre. Mungesa e një inventari kombëtar të gjithë kontratave të koncesioneve dhe të implikimeve të tyre në buxhetin e shtetit vështirësonte procesin e monitorimit të tyre.

Për këtë arsye, sot po krijohet regjistri i koncesioneve dhe partneritetit publik privat. Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve është në fazën e tenderimit të këtij regjistri, nëpërmjet të cilit do të krijohet për herë të parë baza e të dhënave shtetërore mbi kontratat e koncesioneve (Partneriteteve Publik Privat). Në lidhje me këtë procedurë është bërë shpallja e njoftimit të kontratës në Buletinin e Njoftimeve Publike me nr. 19 më datë 16.05.2016. Hapja e ofertave për këtë procedurë do të bëhet më datë 11.06.2016, ndërkohë që dizenjimi dhe popullimi i kësaj baze të dhënash përfundon në tetor të vitit 2016.

Gjithashtu, me ndryshimet e fundit ligjore në fushën e koncesioneve të miratuara në gusht të vitit 2015, është synuar rritja e përgjegjshmërisë së institucioneve të përfshira në këtë proces. Tashmë, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve është pjesë e të gjithë procedurave për dhënien me koncesion, për të standardizuar procedurat por dhe për të promovuar praktikat me të mira ndërkombëtare.

Prej shtatorit të vitit 2013, për të gjitha procedurat koncesionare të zhvilluara gjatë kësaj periudhe, nuk ka munguar asnjëherë  transparenca në portalin e Agjencisë së Prokurimit Publik, me njoftimin e kontratës dhe njoftimin e fituesit. Ndërkohë që misioni i FMN ka rekomanduar forcimin e rregullave për të minimizuar riskun fiskal në projektet e koncesioneve.

 

Postuar më:2016-05-31