Për bllokimin e barit për leuceminë:
Në përgjigje të pretendimit të ngritur prej deputetes Albana Vokshi sqarojmë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka bllokuar për asnjë ditë barin “Fludarabine”, por ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për furnizimin e vijueshëm të tregut me barin në fjalë.
“Fludarabine 10 mg” ka qenë i autorizuar për tregtim me Urdhër Ministri nr. 392, datë 01.07.2009, për një afat 5-vjeçar. Pas datës 30 qershor 2014, pra me përfundimin e afatit të regjistrimit të barit, “Rejsi Farma” vazhdoi ta furnizojë si bar të paregjistruar, por duke marrë lejet përkatëse të importimit për raste të tilla nga Ministri i Shëndetësisë.
Ndërsa më 1 maj 2015, edhe pse bari “Fludarabine” nuk ishte i regjistruar, nisur nga rëndësia e tij për mjekimin e pacientëve, Komisioni Teknik i hartimit të Listës së Barnave të Rimbursueshme (LBR) propozoi që bari të ishte pjesë e LBR 2015. Fondi lidhi kontratë me shpërndarësin “INCOMED” për furnizimin e tregut, dhe në zbatim të kontratës, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë leje importi për bar të paregjistruar.
Ndërkohë që më 20 maj 2015, Agjencia e Barnave regjistroi barin “Fludarabine” të kompanisë “Genzyme” dhe në LBR 2016, hyrë në fuqi më 1 qershor 2016, bari tregtohet nga “Rejsi Farma” si shpërndarës farmaceutik i autorizuar nga kompania prodhuese.
Për sa i përket furnizimit të tregut e vërteta është se nuk ka patur asnjëherë mungesë të barit “Fludarabine”, ashtu siç e tregojnë edhe të dhënat publike ne faqen e internetit të Fondit për sasinë e çdo bari të rimbursuar sipas muajve:
Prill 15 – 120 tableta
Maj 15 – 250 tableta
Qershor 15 – 250 tableta
Korrik 15 – 300 tableta
Gusht 15 – 310 tableta
Shtator 15 – 420 tableta
Tetor 15 – 420 tableta
Nëntor 15 – 365 tableta
Dhjetor 15 – 275 tableta
Janar 16 – 300 tableta
Shkurt 16 – 115 tableta
Mars 16 – 60 tableta
Prill 16 – 160 tableta