Artikulli i Gazetës Shqiptare për ligjshmërinë e regjistrimit të studentëve në universitet:

Në Gazetën Shqiptare është publikuar një artikull në të cilin pretendohet se Ministria e Arsimit ka shkelur ligjin e ri të arsimit të lartë, duke i kthyer regjistrimet e studentëve pas datës 16 tetor në të paligjshme. Sipas këtij artikulli, pas përfundimit të raundit të dytë të fituesve, MAS i ka hequr të drejtën universiteteve të shpallin vetë fituesit dhe ia ka dhënë një institucioni në varësi të tij.

Për ligjshmërinë e regjistrimit të studentëve në universitet:

Nisur nga pretendimet e ngritura në artikullin e publikuar në Gazetën Shqiptare, sqarojmë se përzgjedhja dhe regjistrimi i studentëve ka qenë pjesë e procesit dhe kompetencë vetëm e IAL-ve. Janë vetëm sekretaritë mësimore të fakulteteve që kanë pranuar dokumentacionin për të gjithë kandidatët që janë regjistruar pranë tyre dhe asnjë institucion tjetër nuk ka ndërhyrë në vendimmarrjen e vetë IAL-ve.

Me përfundimin e raundit të dytë të regjistrimeve në universitete, IAL-të kanë shpallur listat përfundimtare të kandidatëve fitues në faqet elektronike zyrtare dhe në mjediset e tyre. Pas regjistrimit të studentëve fitues të raundit të dytë janë sekretaritë mësimore të IAL-ve të cilat kanë regjistruar online dhe me dokumentacion deri në plotësimin e numrit të kuotave për programin e studimit përkatës.

Ndërkohë që platforma dixhitale e ngritur nga MAS ka shërbyer në çdo rast për të bërë transparencën e regjistrimeve që bën çdo universitet. Në asnjë rast përzgjedhja e studentëve dhe regjistrimi i tyre nuk është bërë nga ndonjë institucion tjetër, përveç sekretarive të universiteteve. Platforma dixhitale nuk ka prodhuar lista dhe as më pak i ka dërguar sekretarive lista të fituesve pas spostimit të vijës së kuqe, por ka shërbyer si një pasqyrë për të ndihmuar secilin aplikant për të marrë dijeni të mundësive që kishte për t’u pranuar në programe të ndryshme studimi në IAL-të.

Theksojmë se as Ministria e Arsimit dhe asnjë institucion tjetër nuk ka ndërhyrë në asnjë rast në autonominë e IAL-ve për të përzgjedhur studentët.

 

Postuar më:2016-10-27