Artikulli i portalit “Shëndeti Online” për Shërbimin Onkologjik dhe furnizimin me citostatikë:

Në një artikull të publikuar prej portalit “Shëndeti Online” pretendohet se për muajin dhjetor Shërbimi i Onkologjisë gjendet në krizë për shkak të mungesës së citostatikëve midis tyre oxaliplatin, irinotekan, herceptinë. Gjithashtu në artikull pretendohet se mungesa e ilaçeve e ka bërë të pamundur trajtimin e pacientëve me kancer duke detyruar shtyrjen e seancave të kimioterapisë në muajin janar.

 

Për Shërbimin Onkologjik dhe furnizimin me citostatikë:

Në përgjigje të pretendimeve të ngritura nga artikulli mësipërm, sqarojmë se Shërbimi i Onkologjisë nuk ka asnjë problem në furnizimin me citostatikë, ndërkohë që puna në shërbim të pacientëve të diagnostikuar me sëmundje onkologjike vijon normalisht.

Gjatë këtij muaji janë kryer rreth 550 trajtime me kimioterapi ndërsa ofrimi i këtij shërbimi vijon pa ndërprerje si në spitalin ditor, ashtu edhe në pavionin e Njësisë së Kimioterapisë. Vetëm ditën e djeshme (21.12.2016) janë realizuar 44 trajtime me kimiopreparate, ndërkohë që sot është parashikuar trajtimi i 46 pacientëve në zbatim të skemave individuale të mjekimit. Gjithashtu, stafi mjekësor i Shërbimit Onkologjik është duke punuar normalisht mbi planifikimin e trajtimit të pacientëve për ditët në vazhdim.

Edhe trajtimi me kimioterapi pranë Shërbimit të Hematologjisë vijon pa ndërprerje. Vetëm gjatë ditës së djeshme (21.12.2016) janë realizuar 28 trajtime me kimiopreparate në zbatim të skemave individuale të mjekimit.

Për sa i përket pretendimi mbi mungesën e Herceptinës, theksojmë se shërbimi onkologjik është furnizuar gjatë muajit dhjetor (deri më datë 21.12.2016) me 165 flakon, bazuar në kontratat e lidhura të vitit 2016.  Vlen për tu përmendur fakti se sasia e këtij bari, vënë në dispozicion për trajtimin kryesisht të kancerit të gjirit, është rritur vit pas viti nga 872 flakon në 2013-ën në 3,321 flakon në 2016-ën, pra 2.8 herë më shumë.

Ndërkohë që lidhur me barnat e cituara në artikull Oxaliplatin dhe Irinotekan, furnizimi i shërbimeve me këto barna nga Drejtorisë Farmaceutike në QSUT  vijon normalisht bazuar në kontratat e lidhura për vitin 2016.

 

Postuar më:2016-12-22