Sali Berisha për mesazhet e numrit për vlerësimin e shërbimeve publike:

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sali Berisha pretendon se qeveria shqiptare, në shkelje të të drejtave të privatësisë, ka përdorur numrin 50505 për përgjim masiv të qytetarëve.

 

Për mesazhet e numrit për vlerësimin e shërbimeve publike:

Lidhur me pretendimet e ngritura në postimin e mësipërm, sqarojmë se numri 50505 është një numër i cili shërben për të marrë vlerësimet e qytetarëve mbi shërbimet e ndryshme publike. Të dhënat e përdoruesit që shfaqen në mesazhet hyrëse nga ky numër dhe numri i telefonit janë deklaruar vullnetarisht nga qytetarët në momentin e regjistrimit për marrjen e shërbimeve publike.

Gjithashtu, qytetarët janë vënë në dijeni për përdorimin e tyre për qëllime të mbledhjes së opinioneve të ndryshme për shërbimet publike, në funksion të përmirësimit dhe rritjes së performancës në ofrimin e tyre.

Asnjë e dhënë tjetër e qytetarëve nuk trajtohet nga ky sistem, i cili është dhuratë nga Banka Botërore në kuadër të reformës së shërbimeve publike dhe përdoret edhe në vende të tjera.

Sistemi funksionon prej dy vjetësh dhe mijëra qytetarë kanë marrë SMS si dhe na janë përgjigjur me sugjerime të vlefshme për përmirësimin e shërbimeve publike, në kuadër të programit të luftës kundër korrupsionit në sportelet e zyrave të shtetit.

Për vitin 2016, janë ndërmarrë 56 fushata me SMS, duke kontaktuar gjithsej 139,476 qytetarë, me një normë përgjigje mesatare 27%. Qytetaret përfitues të shërbimit publik kanë patur mundësi të shprehin pa rezerva mendimin e tyre, duke vlerësuar ose ankimuar eksperiencën e tyre.

Ndërkohë që përpara disa ditësh, sistemi ka pësuar një avari duke nisur mesazhe të pakuptimta në numra që qytetarët kanë vetë deklaruar në çastin e marrjes së shërbimit publik, qoftë për vete apo për të afërmit e tyre. Për të stabilizuar situatën deri në verifikimin e problemit sistemi është mbyllur e më pas, në bashkëpunim me operatorët telefonik, janë nisur rreth 50,000 SMS për të sqaruar këta qytetarë mbi SMS-të e pakuptimta.

 

Postuar më:2017-01-20