Luciano Boçi për marrëveshjen me CEZ:

Deputeti i Partisë Demokratike Luciano Boçi, në një dalje publike, pretendon se Marrëveshja për Zgjidhjen me Mirëkuptim të konfliktit me CEZ a.s., ndalon hetimin për shkelje të mundshme dhe garanton imunitet për të dyja palët e përfshira në proces. Sipas deklaratës së deputetit, marrëveshja përmban disa nene të cilat ndalojnë ndjekjen penale të personave të përfshirë në korrupsion.

Përgjigje ndaj pretendimeve të opozitës:

Së pari, baza ligjore e inicimit të zgjidhjes së mosmarrëveshjes me CEZ a.s., si dhe çështjet që trajtohen në të, kanë karakter ngushtësisht civil.

Së dyti, referuar Nenit 3 të Marrëveshjes së Zgjidhjes me Mirëkuptim përcaktohet shprehimisht që Pala Shqiptare përfaqësohet nga ministritë, zyrat, autoritetet lokale ose kombëtare që janë të kontrolluara nga Qeveria e Shqipërisë. Në këtë kuptim, garancia e dhënë për mos adresimin e pretendimeve të caktuara për ndonjë fakt apo rrethanë që do të zbulohet në të ardhmen ka të bëjë vetëm me çështjet e karakterit civil dhe është një detyrim ngushtësisht i palëve shqiptare, të cilat në rastin konkret përfaqësohen vetëm nga ato që janë në varësi të Qeverisë së Shqipërisë dhe këtu nuk përfshihet organi i Prokurorisë.

Në bazë të nenit 148 e në vijim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Prokuroria është organi që ushtron ndjekjen penale dhe është një organ i pavarur nga Qeveria. Detyrimet e Prokurorisë, e cila nuk përfshihet si palë në Marrëveshjen e Zgjidhjes me Mirëkuptim, ushtrohen konform Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale. Kjo nënkupton që dispozitat e kësaj marrëveshjeje nuk cenojnë të drejtat dhe detyrimet e Prokurorisë, si organ i pavarur, në raport me ushtrimin e ndjekjes penale kundrejt çdo subjekti të cilit i atribuohet kryerja e veprës penale.

Së treti, edhe sikur të marrim të mirëqenë, se tek pretendimet përkatëse përfshihen edhe procedimet penale, referuar Nenit 11.2 të Marrëveshjes së Zgjidhjes me Mirëkuptim përcaktohet shprehimisht se “Palët Shqiptare angazhohen që as ato dhe as ndonjë prej Degëve të tyre nuk do të nxisin apo shkaktojnë (përveç kur kërkohet me ligj) apo të asistojnë ndonjë palë të tretë për të paraqitur ndonjë pretendim apo të fillojnë apo vazhdojnë, në çdo juridiksion, ndonjë procedim në lidhje me ndonjë Pretendim Përkatës”. Pra, nëse palët e treta në këtë rast përfaqësohen nga Prokuroria, atëherë ushtrimi i ndjekjes penale përfaqëson një detyrim kushtetues dhe ligjor të Prokurorisë. Në këtë rast, nëse ka dyshime të arsyeshme se është kryer vepër penale, palët shqiptare nuk kanë asnjë pengesë ligjore që të asistojnë Prokurorinë.

Gjithashtu, ndryshe nga sa pretendon opozita, në asnjë nen të Marrëveshjes për Zgjidhjen me Mirëkuptim, nuk jepet as edhe një garanci për mos fillimin e procedimeve penale, apo për me tepër, falje dhe heqje dorë nga e drejta e shtetit shqiptar për kryerjen e hetimeve të veprave penale që mund të rezultojnë se janë kryer nga anëtarët e Grupit CEZ.

Aktualisht organi i akuzës është duke hetuar ish- drejtuesin e CEZ-it në Shqipëri dhe nuk ka pasur asnjë pretendim për pengesë të hetimeve prej marrëveshjes.

Postuar më:2015-10-24